Lajme Botë

Kurti: Është fat i mirë për Kosovën, zgjedhja e Joe Biden si president i SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri, Albin Kurti, tha se zgjedhja e Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është fat i mirë për Kosovën, përcjell Shqip.com.

Në një vjetorin e zgjedhjes së Biden, president i SHBA-së, Kurti deklaroi se për Kosovën rëndësia dhe domethënia e Biden nuk ka qenë vetëm për shkak të “avokimit të tij për të drejtat tona, por edhe për atë që ka premtuar dhe simbolizuar fitorja e tij për të ardhmen”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

“Përkatësisht, fitorja e presidentit Biden i dëshmoi të gjithë botës se demokracia më e vjetër në botë vazhdonte t’u qëndronte besnike disa prej zakoneve më të rëndësishme të çdo shoqërie demokratike: sundimi i ligjit kundër politikanëve me synime diktatoriale, luftimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha format e tyre dhe, mbi të gjitha, respektimi i vullnetit të qytetarëve, të shprehur përmes zgjedhjeve të lira e të drejta.

Me fitoren e presidentit Biden, këto vlera i janë rikthyer jo vetëm vetë ShBA-së, por edhe politikës së jashtme të saj, duke përfshirë në veçanti marrëdhëniet me Republikën e Kosovës”, shkroi ndër tjerash ai.

Tutje, fitoren e Biden, Kurti e lidhi edhe me një ngjarje tjetër – atë të fitores së Lëvizjes Vetëvendosje më 14 shkurt 2021.

“Fitorja historike e presidentit Biden më 3 nëntor 2020, i ka paraprirë edhe fitores historike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 14 shkurt 2021, me një program të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë dhe zhvillimit, një program jo shumë larg atij mbi të cilin kandidati Joe Biden ka kërkuar dhe fituar besimin e një shumice të madhe të votuesve amerikanë.

Në këtë mënyrë, dy palë zgjedhjet, ato më 3 nëntor dhe ato më 14 shkurt, dëshmuan se ajo çka i lidh më thellësisht republikat tona, nuk janë interesa të ngushta gjeopolitike, por parime dhe vlera demokratike”, përfundoi ai./SHQIP.com