Kurti e Murati i kërkojnë Japonisë të investojë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.
Gjatë kësaj vizite, Kurti është takuar me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda ku kanë kërkuar që të investojnë në Kosovë.
Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.
“Gjatë vizitës dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin z. Shinzo Abe, zhvillova takim me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, z. Hiroyuki Hosoda, i cili na priti në rezidencën e tij zyrtare. I shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, dhe ambasadori ynë, z. Sabri Kiçmari, prezantuam të arriturat e Kosovës, e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe shprehëm interesimin për investime japoneze në Kosovë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Ndër të tjerash, Kurti ka shkruar Kosova dhe Japonia ndajnë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane.
Udhëheqës nga mbarë bota janë mbledhur në Tokio për t’i dhënë lamtumirën kryeministrit më jetëgjatë të Japonisë.
Abe, 67 vjeç, i cili mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua duke mbajtur një fjalim në fushatë.
Ai u qëllua rreth orës 11:30 të mëngjesit me orën lokale në Nara, në lindje të Osakës, teksa mbante një fjalim të fushatës zgjedhore në rrugë./SHQIP.com