Lajme

Kurti: Dialogu është prioriteti i katërt i qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu ka qenë prioritet i katërt i qeverisë Kurti.

Kurti në një konferencë për media ka deklaruar se pandemia, punësimi e drejtësia janë tri prioritetet e para të qeverisë teksa ka thënë se dialogu s’është prioritet i parë por është dukur ashtu për shkak të vëmendjes mediale e ndërkombëtare.

Ai ka kritikuar Serbinë për moszbatim të marrëveshjes Bazike duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve nuk është vetëm në dorën e Kosovës.

“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi jona. Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.

Teksa është pyetur nga mediat nëse i kanë dërguar në Bruksel propozimet sa i përket zbatimit të Rregullores së re të BQK-së, Kurti ka thënë se ende s’ka përfunduar dita e sotme për dërgimin e propozimeve në Bruksel, duke qenë se palët ishin dakorduar nga takimi i fundit i kryenegociatorëve, që të dërgojnë në Bruksel propozimet e tyre sot.

“Ende nuk ka përfunduar dita e sotme për dërgimin e propozimeve tona, rregullorja e BQK-së është e panegociueshme, është vendim plotësisht i pavarur i këtij institucioni të pavarur. Përveç që kanë marrë rregullore të re nga dhjetori e vendimin plotësisht të pavarur, kanë ofruar edhe plan 10 pikësh për tranzicion. Nëse ka pasoja në terren, në iu përgjigjemi. Ne s’jemi as lokomotiva as vagoni i parë”, ka vijuar Kurti.

Tutje, kreu i qeverisë ka thënë se nëse do të ketë ndonjë serb të moshuar që do të hasë në vështirësi, Qeveria do të mund të ndihmojë teksa ka theksuar se dinarët me thasë s’mund të hyjnë më në Kosovë.

“Nëse ka ndonjë të moshuar serb që për 24 vjet s’ka parë kurrë euro, por vetëm dinar, ne s’duam që ai të mbetet keq. Dhe ne si Qeveri shprehim vullnetin për t’i ndihmuar. Por i vetmi mjet është euro. Por dinarët cash me thasë s’mund të kalojnë kufirin. Spo iu kërkohet serbëve as që të marrin lekun e Shqipërisë e as monedhën e Kosovës “Dardan”, por Euron e BE-së që ne e kemi përvetësuar nga 1 janari 2002”, ka theksuar Kurti.

/Shqip.com