Kurti dhe ambasadori i ri amerikan pajtohen për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier në Prishtinë, përcjell Shqip.com.
Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Hovenier janë pajtuar që njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në qendër të marrëveshjes së ardhshme.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se prioritet në dialog vazhdon të mbetet çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe hapja e arkivave shtetërore dhe ushtarake të Serbisë.

“Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri theksoi se kemi qenë proaktiv dhe konstruktiv, duke paraqitur propozime se si të ecim përpara. Ai tha se prioritet në dialog vazhdon të mbetet çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe hapja e arkivave shtetërore dhe ushtarake të Serbisë.
E kemi bërë të qartë që në fillim se dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve në tryezë. Kryeministri dhe ambasadori Hovenier u pajtuan se njohja e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të marrëveshjes së ardhshme, ligjërisht të obligueshme”, thuhet ndër tjerash në njoftim,
Tutje, Kurti e ka njoftuar ambasadorin e SHBA-së edhe për reformat e ndërmara nga Qeveria në drejtësi, rritjen e zhvillimit ekonomik, etj.
“Ai e njoftoi ambasadorin me reformat e ndërmarra nga Qeveria, pas fitores plebishitare më 14 shkurt 2021, për dy premtimet kryesore për punë dhe drejtësi. Zgjedhjet e shkurtit sollën legjitimitet demokratik dhe stabilitet politik në institucionet tona dhe aktualisht prijësit e tre institucioneve kryesore, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, gëzojnë mbi 50% të besimit të qytetarëve.
Ne e mbyllëm vitin 2021 me rritje ekonomike dyshifrore. Eksportet tona janë rritur me 66%, të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, investimet e huaja direkte për 53% dhe kemi regjistruar 10.000 vende pune të reja në ekonomi vitin e kaluar”, tha kryeministri Kurti.
Po ashtu, kryeministri kosovar e ka falënderuar edhe Hovenier për donacionin e SHBA-së për gjysmë milioni vaksina anti-COVID’19.
“Duke biseduar per situatën me pandeminë, u theksua administrimi i mbi 1.67 milion dozave te vaksinave. Siç ishte parashikuar fillimisht, ne kemi vaksinuar 60% të personave mbi 16 vjeç me dy doza dhe kemi filluar me dozën e tretë, vaksinat përforcuese, tha kryeministri, duke theksuar se ne nuk kemi marrë vaksina ruse apo kineze.
Kryeministri falënderoi Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Presidentin Biden për dhurimin e mbi gjysmë milioni vaksinave Pfizer”, shtoi Kurti./SHQIP.com.