Kurti: Beogradi duhet t’i hap arkivat që të merret vesh e vërteta për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia që t’i hap arkivat për të zhdukurit me dhunë në luftën e fundit në Kosovë.
Për media, Kurti ka thënë se institucionet e vendit në bashkëpunim më bashkësinë ndërkombëtare duhet të shtojnë sa më shumë presionin ndaj Serbisë.
“Në Beograd duhet të hapen arkivat që të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë. Në të njëjtën kohë edhe prokuroria tek ne duhet te jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre të cilët i vranë”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë thirrje që të japin informacione të gjithë qytetarët të cilët kanë për ndonjë rast.
Gjatë ditës së sotme, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kurti kanë bërë homazhe tek obelisku i personave të zhdukur në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Osmani ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë që të nënshkruaj marrëveshjen për të pagjeturit.
Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht të zhdukur figurojnë më shumë së 1600 persona./Shqip.com