Lajme

Kurti: Ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë përsëritjen e tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ata që mohojnë gjenocidin, ëndërrojnë për përsëritjen e tij.

Në fjalimin e tij pas homazheve në Reçak, Kurti tha se tashmë është lëshuar fletarrest për 18 serbë të cilët dyshohen për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, atë kohë ishte ministër informativ gjë të cilën tha se masakra e Reçakut ishte fabrikim. Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar, nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet. Duke u thirrur në dëshmitë e kohës në deklaratat e 63 dëshmitarëve të intervistuar dhe në provat e tribunalit të Hagës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohet për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut”, tha Kurti.

Kurti tha se Kosova nuk amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës.

“Sot në 24-vjetorin e masakrimit të 45 shqiptarëve nga forcat e Serbisë në Reçak, teksa kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimat e asaj kohe të errët, më lejoni që para jush, nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës t’iu them që shteti ynë demokratik nuk i amniston kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës”.

Krahas kësaj, Kurti tha se masakra e Reçakut është njëra ndër 400 masakrat që janë kryer në Kosovë nga ana e Serbisë.

“Masakra e Reçakut, është njëra mbi 400 masakrat e kryera nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët, por historinë e luftës sonë, kjo masakër e Reçakut është krimi i luftës që më së shumti i ka nxitë  ndryshimet e qëndrimeve të shteteve më të fuqishme në bashkësinë ndërkombëtare në raport me atë se çfarë po bënte Serbia në Kosovë”.

Kurti pati mirënjohje edhe për ambasadorin William Walker.

“Masakra e Reçakut, u shndërrua në një nga argumentet me të pakontestueshme dhe të fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s që do të vinte pas dy muajsh. Për këtë, mërita të veçanta i takojnë ambasadorit amerikan që kryesonte misionin verefikues në Kosovë të OSBE-së, William Walker. Pasi pa trupat e ekzekutuar dhe të masakruar të 45 civilëve në Reçak, Walker pati kurajon ta përshkruante atë që pa me emrin e vërtetë kur tha që ajo ishte masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

Sot janë bërë 24 vite që nga masakra e Reçakut në të cilën u vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.

/Shqip.com