Lajme

Kurti ankohet se Escobar dhe Lajçak po vinë me kërkesa të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ankuar për siq ka thënë për njëanshmëri ndaj vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe në anën tjetër tolerancë ndaj atij që ai e quajti regjimi autoritar i Serbisë.

Në një intervistë për agjendinë e lajmeve Associated Press, Kurti ka deklaruar se të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi – përkatësisht Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak – “vijnë tek ne me kërkesat e palës tjetër”.

Së fundmi serbët etnikë u përleshën me policinë e Kosovës dhe më pas me forcën paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, duke lënë 30 ushtarë dhe mbi 50 serbë të plagosur dhe duke provokuar frikën e ripërtëritjes së konflikteve të përgjakshme në rajon.

Pasi ushtarët u plagosën javën e kaluar, NATO tha se do të dërgonte 700 trupa shtesë në veri të Kosovës.

Përplasjet erdhën pas një konfrontimi të mëparshëm pasi kandidatët shqiptarë etnikë që u shpallën fitues të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës hynë në ndërtesat komunale për të marrë detyrën dhe u bllokuan nga serbët. Serbët etnikë bojkotuan votat me shumicë dërrmuese.

Brukseli i ka kërkuar Kosovës që të tërheqë forcat e saj speciale të policisë nga veriu i Kosovës, ku jeton shumica e pakicës etnike serbe, dhe të mbajë zgjedhje të reja.

Në shkurt dhe mars, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve, me një plan 11-pikësh për zbatim. Procesi mbetet në fokus të bisedimeve të ndërmjetësuara nga të dërguarit nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Kurti këmbënguli se forcat speciale të policisë nuk mund të “zvogëloheshin” derisa bandat kriminale serbe ose të largoheshin nga vendi ose të arrestoheshin. Ai tha se do të kishte paqe në Kosovë nëse nuk do të kishte “urdhra për dhunë nga Beogradi”.

Fuqitë perëndimore nuk duhet të kënaqin Beogradin, problemin rrënjësor të dhunës në Ballkanin Perëndimor, tha Kurti.

Kurti u ankua se edhe për zgjedhjet e parakohshme të prillit në katër komunat veriore me shumicë serbe, “ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, lehtësuesit evropianë na dështuan”.

Ai tha se ata i kërkuan Kosovës të bënte ndryshime zgjedhore, por nuk ushtronin presion mbi partinë e vetme politike të serbëve etnikë për të marrë pjesë në votim.

Ai tha se do t’i duhej ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur pluralizmin politik në pakicën etnike serbe “për një konkurrencë të ndershme, për një garë demokratike për kryetarët e rinj të bashkive”.

“Ne nuk mund të përballojmë një proces tjetër ku kandidatët serbë e bojkotojnë atë disa ditë para fillimit të zgjedhjeve, sepse kështu urdhëron Beogradi”, tha ai.

Serbia dhe ish provinca e saj Kosova kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada, me Beogradin që refuzon të njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Dhuna pranë kufirit të tyre të përbashkët ka ngjallur frikën e një ripërtëritjeje të një konflikti të viteve 1998-99 në Kosovë që mori më shumë se 10,000 jetë dhe rezultoi në misionin paqeruajtës të KFOR-it.

/Shqip.com