Lajme

Kurti: Afganëve iu thamë se janë të sigurt në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri, Albin Kurti, iu ka thënë afganëve të ardhur në Kosovë se “janë të sigurt”.

Kurti këto komente i bëri gjatë një konference për media, pasi 111 afganë arritën në Kosovë.

“Refugjatëve afganë të cilët janë të dëshpëruar që janë detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe atdheun, iu dëshiruam mirëseardhje dhe ju thamë se janë mysafirët tanë dhe se janë të sigurt”, ka thënë Kurti.

“Është nder për neve dhe për mua që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë që sikurse të gjithë qytetarët e meritojnë të kenë të drejta dhe liri”.

Kurti foli edhe për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur janë në pyetje aleatët dhe partnerët tanë siç është SHBA-ja dhe NATO-ja, ne nuk themi pse, por ne themi vetëm si. Pra të gjitha pyetjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike”.

“Pra se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas në konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre .E falënderojmë NATO dhe SHBA-në për komunikimin për strehimin e këtyre refugjatëve” deklaroi kreu i ekzekutivit.

Lexo edhe:
Vitia tregon pse nuk ka termine të lira për vaksinim

Pos Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar refugjatët afganë.

Strehimi i tyre është i përkohshëm, deri në përmbylljen e procesit të dokumentacionit për emigrim në SHBA apo në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian.

Pos ekzekutive në Kosovë e Shqipëri, edhe partitë opozitare shqiptare janë shprehur pro strehimit të refugjatëve afganë.

Përpos çështjes humaniste, nga figurat politika është shprehur edhe gatishmëria e të qenuarit në një linjë me SHBA-të.

Grupi militant mori pushtetin në Kabul, pasi SHBA-të filluan të largoheshin nga Afganistani. 31 gushti është data e fundit e cila është vendosur për largimin e tërësishëm amerikan nga vendi që tash qeveriset prej talebanëve. /Shqip.com