Lajme

“Kur institucionet heshtin, tragjeditë flasin” – Azis Pollozhani: Struga po humb identitetin, kërkohen reforma urgjente

Strugë – Azis Pollozhani ka publikuar një analizë të gjerë mbi gjendjen në Maqedoninë e Veriut dhe veçanërisht në Strugë, ku ngre alarmin për degradimin institucional, ndotjen e mjedisit dhe mungesën e përgjegjësisë.

Sipas tij, tragjeditë që kanë goditur vendin ndër vite, si Koçani, Spitali Modular në Tetovë, aksidentet tragjike dhe së fundmi helmimi i ujit në Gostivar, nuk janë raste të izoluara, por pasojë e institucioneve të dobëta dhe mungesës së përgjegjësisë.

Duke u ndalur te Struga, Pollozhani shprehet se qyteti po përballet me ndotjen e Liqenit të Ohrit, degradimin e Drinit të Zi, ndërtimet pa plan dhe rrezikun e humbjes së statusit të UNESCO-s.

Ai paralajmëron se, nëse nuk ndërmerren reforma të menjëhershme, Struga rrezikon të humbasë identitetin e saj, të zbrazet nga të rinjtë dhe të dëmtojë përfundimisht pasuritë natyrore që e bëjnë të njohur në botë.

Mes masave që propozon janë rindërtimi i kolektorit, kthimi i lumit Sateska në shtratin e tij natyror, eliminimi i derdhjeve ilegale të ujërave të zeza dhe vendosja e një moratoriumi për ndërtimet pa plan urbanistik.

Në fund, Pollozhani bën thirrje që Struga të mos mbetet peng i fajësimeve politike, por të nisë një kapitull të ri ku ligji, shkenca dhe përgjegjësia të vendosen mbi interesat e ngushta.

“Një breg i sëmurë dhe një lumë i ndotur nuk lënë vend as për turizëm, as për mirëqenie, as për të ardhme. Struganët nuk do të lejojnë të zhduket ajo që prindërit ua lanë brezave.”

/Shqip.com