Lajme

Kuleba: Synojmë ta fitojmë luftën në vitin 2023

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka thënë Associated Press së fundmi se vendi i tij synon të mbajë bisedime për paqen vitin e ardhshëm.

Sipas tij këto bisedime mund të mbahen rreth fundit të muajit shkurt, rreth një vit nga shpërthimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kuleba shtoi se kjo ka të ngjarë të ndodhë në Kombet e Bashkuara, me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterres si një ndërmjetës të mundshëm mes dy vendeve për shuarjen e konfliktit.

Ai shtoi se është “absolutisht i kënaqur” me rezultatet e vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në SHBA javën e kaluar, duke thënë se qeveria amerikane planifikon të bëjë një bateri raketore Patriot gati për të funksionuar në vend në më pak se gjashtë muaj, shkruan abc.

Kuleba tha se diplomacia do të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e konfliktit në Ukrainë.

“Çdo luftë përfundon si rezultat i veprimeve të ndërmarra në fushën e betejës dhe në tryezën e bisedimeve”, tha ai.

Përpara se Rusia t’i bashkohet bisedimeve, Kuleba tha se Kremlini së pari duhet të gjykohet për krime lufte në një gjykatë ndërkombëtare.

Ai gjithashtu minimizoi komentet nga Moska se Rusia është e gatshme për negociata, duke shtuar: “Ata thonë rregullisht se janë gati për negociata, gjë që nuk është e vërtetë, sepse gjithçka që bëjnë në fushën e betejës dëshmon të kundërtën”.

/Shqip.com