Kuçi: Thaçi e Krasniqi ishin më të përmendurit në raportin e Dick Marty-t, ata e dinin se Specialja po bëhej edhe për ta

Ish-zv.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, deklaroi të enjten se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, kur kanë votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, e dinin që kjo gjykatë do t’i hetonte edhe vetë ata.
Kjo pasi në raportin e eurodeputetit Dick Marty-t, emrat e këtyre dy figurave politike kanë qenë më të përmendurit.
“Ata ishin më të përmendurit në raportin e Dick Martyt. Ata kanë qenë të vetëdijshëm se gjykata është duke u bërë jo për dikë tjetër, por për vetë ata. Por, ajo që dua të them tash është se duhet të fokusohemi se në aktakuzën që qëndron, të hiqen ato pika të aktakuzës dhe të shpallen të pafajshëm, çfarë edhe janë dhe t’i kthehen jetës në Kosovë”.
“Presioni ndërkombëtar (për formimin e Gjykatës Speciale), fatkeqësisht ka ardhur nga partnerët tanë, ka ardhur nga SHBA-ja dhe BE-ja dhe ata (Thaçi e Krasniqi v.j.) nuk kanë dashur që të prishen këto marrëdhënie”, deklaroi Kuçi në emisionin “Desku” në KTV.
Në 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kuçi foli edhe për periudhën kur UNMIK-u u garantoi se nuk do ta anulonte vendimin për pavarësi.
Siç tha ai, garancitë për shpalljen e pavarësisë janë dhënë fillimisht nga përfaqësuesi i UNMIK-ut, Joakim Riker, dhe u shpreh se atëherë nuk mund të imagjinohej se dikush s’do ta anulonte shpalljen e pavarësisë.
“Kishim garanci të të gjitha anëve, nuk mund ta imagjinonim që mund të shpallej Pavarësia e Kosovës dhe dikush ta anulojë. Do të ishte një tërmet politik, fizik, asnjë veprim teknik më të vogël nuk ia kemi lënë rastit”./SHQIP.com