Kuçi nuk e pranon humbjen: Do të presim deri sa të numërohet vota e fundit

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, nuk e ka pranuar akoma humbjen në këtë komunë, duke thënë se “do të presim deri sa të numërohet edhe vota e fundit”.
Këtë reagim e ka bërë pas shpalljes së rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë.
Ai ka thënë se rezultati i publikuar tregon se Ruzhdi Shehu – kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës – është vetëm 29 vota para AAK-së.
“Ne kemi edhe mbi 50 fletëvotime me kushte dhe 598 vota me postë, të cilat do numërohen në ditët në vijim, e të cilat do të jenë përcaktuese për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve!”, ka shkruar ai ën Facebook.
“Si do që të jetë rezultatit final, unë falënderoj nga zemra gjitha strukturat drejtuese të Aleancës për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm, aktivistet e simpatizantët tonë besnik, dhe gjithë qytetarët junikas, për kulturën e lartë dhe maturinë e treguar përballë një fushate të egër e linçuese”.
“Faleminderit që na besuat votën tuaj, duke na konfirmuar edhe kësaj radhe si partia e parë në Junik, përkundër rezultatit në balotazh, të kampit rival, që ishin tri parti në koalicion të përbashkët (LDK, VV dhe PDK) për balle nesh, si parti e vetme! Do të presim deri sa të numërohen edhe vota e fundit!”./SHQIP.com