Kryetarja e Preshevës: Ka qenë kërkesë e kahmotshme që Lugina të përfshihet në Buxhetin e Kosovës

Ardita Sinani, kryetare e Preshevës – ka thënë se përfshirja e Luginës së Preshevës në Buxhetin e Republikës së Kosovës, ka qenë një kërkesë e kamotshme.
Deklarata e saj erdhi pikërisht pasi Qeveria e Kosovës në projekt-buxhetin për vitin 2022 ka krijuar linjë buxhetore edhe për Luginën e Preshevës.
2 milionë euro për vitin e ardhshëm do të shkojnë për projekte në dobi të qytetarëve atje.
Për këtë Sinani në një prononcim për Kosovapress, ka thënë se do të koordinohen me Qeverinë për ndarjen e atyre mjeteve financiare.
“Përtej aspektit financiar, kjo mbështetje merr vlerë të shtuar nga fakti se Lugina e Preshevës bëhet pjesë përbërëse e buxhetit të Republikës së Kosovës”.

“Një praktikë tejet e rëndësishme në vijimësinë e bashkëveprimit institucional dhe të qasjes shtetërore të Republikës së Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sa i përket mjeteve ne do të jemi në dakordim të plotë në koordinim me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ajo.
Lugina e Preshevës në diskursin shqiptar njihet si “Kosova Lindore”.
Në të kaluarën, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kishin ndarë nga 50 mijë euro për Luginën.
Për këtë kishte pasur kritika, pasi Beogradi investon shumë më shumë në Veriun e Kosovës.
Pikërisht në raport me Beogradin, Sinani shtoi se kërkon që përfaqësues nga Lugina të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi. /Shqip.com