Lajme

Kryetarja e Kuvendit slloven thotë se do ta mbështesim Kosovën në të gjitha proceset integruese

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq
Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar Zupançiq, ka theksuar se shteti i saj do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën në të gjitha proceset drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike.

Ajo në konferencë për media pas takimit me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ka thënë se raporti ndërmjet dy vendeve është i shkëlqyeshëm dhe duan që të shohin që bashkëpunimi të vazhdohet në të gjitha fushat.

“Kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe bashkëpunimi ynë është i kënaqshëm në aspekte të ekonomisë. Kuvendi ynë është i gatshëm që t’i ndaj praktikat e mira sa i përket eksperiencës që Sllovenia e ka me BE-në në përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Kosova dëshiron të bëhet anëtare e BE-së dhe Sllovenia këtu mund ta ndihmojë shumë. Ne e mbështesim perspektivën evropiane dhe anëtarësimin e vendit tuaj në KiE dhe rrugëtimin tuaj në integrimet euroatlantike. Kjo është kyçe për mirëmbajtjen paqes e stabilitetit në Kosovë por edhe në rajonin më të gjerë. Përmbushja e marrëveshjes si pjesë e dialogut Kosovë – Serbi është kyçe për sukses. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka theksuar Zupançiq.

Ajo ka thënë se shteti i saj mbetet i përkushtuar për stabilitetin e Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë prezent si pjesë e KFOR-it.

“Sllovenia është mike e Kosovës, do të mbesim të tillë dhe do të ju mbështesim në të gjitha përpjekjet e juaja për anëtarësim në mekanizmat e ndryshëm evropianë”, ka shtuar ajo.

/Shqip.com