Kryetari i Mitrovicës së Veriut: Serbët të përkushtuar për të mbrojtur pozicionet e tyre

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka thënë se serbët janë të përkushtuar për të mbrojtur pozicionet e tyre në veri, transmeton Shqip.com.
Por, siç ka thënë ai, serbët duan zgjidhje paqësore si dhe liri të lëvizjes.
“Mesazhi ynë është si çdo qytetar që është në këtë vend, ne duam paqe, nuk duam dhunë, nuk duam asnjë provokim. Njerëzit janë të përkushtuar në synimin e tyre për të mbrojtur pozicionet e tyre në këtë fushë. Ne duam liri të lëvizjes, e cila është e garantuar për çdo person në Evropë, sepse u mohohet serbëve në Kosovë”, tha ai për Kosovo Online.
Sipas tij, serbët po bëjnë protest paqësore dhe se janë këmbëngulës në qëllimin e tyre.
“Ne duam të heqim dekretin e miratuar”, tha ai, duke iu referuar vendimit për reciprocitet nga qeveria e Kosovës për targat.
“Nuk ka logjikë të miratohet një rregullore që hyn në fuqi menjëherë, pa asnjë njoftim, pa debat publik ose opinion publik nëse ajo rregullore është e pranueshme për qytetarët në terren apo jo. Ky është një unanimitet i pastër, dhunim i ligjit dhe drejtësisë dhe mohim i lirisë së lëvizjes ekskluzivisht për një popull,” tha Radojeviç.
Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për reciprocitetin e targave me Serbinë, ku parashihet që secila veturë që hyn në Kosovë, duhet t’i vendosë tabelat e përkohshme të Republikës së Kosovës.
Si shenjë revolte ndaj këtij vendimi, disa qytetarë serbë, kanë protestuar në rrugën që çon në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.
Lidhur me këtë, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikën kufitare në Jarinjë ku po qëndrojnë nga mëngjesi i së hënës./Shqip.com