Kryetari i Lipjanit: Do marrim masa ndaj mjekut i cili gënjeu pacientin se nuk funksiononte aparatura mjekësore

Komuna e Lipjanit do të shqyrtojë masat disiplinore ndaj mjekut i cili kishte gënjyer një pacient se nuk funksiononte aparatura mjekësore e cila regjistron rrahjet e zemrës.
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në një përgjigje për Shqip.com deklaroi se mjeku fillimisht kishte gënjyer pacientin pastaj kishte ndryshuar qasjen duke i ofruar shërbimin të cilin e kërkonte në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Ai thotë se pacienti 56 vjeçar i cili ka ndërruar jetë me veti kishte EGK-në të cilin e kishte realizuar në institucionet shëndetësore komunale.
“Pacienti ka shkuar me EGK të cilin e ka bërë në Lipjan dhe kjo mund të konfirmohet edhe në Spital”
“Mjeku ka deklaruar diçka të pavërtetë sepse ne kemi një aparaturë moderne por siç duket mjeku ka përtuar që të merret me pacientin dhe ka deklaruar në atë mënyrë pastaj i ka bërë EGK-në”
“E rëndësishme për ne është që pacientit i është ofruar shërbimi”, është shprehur ai.
Ahmeti shtoi se ndaj mjekut do të shqiptohen masa disiplinore.
“Drejtori i shëndetësisë në Lipjan dhe drejtori i QKMF-së janë duke trajtuar sjelljen e këtij punëtori dhe do të merren masa disiplinore për deklarimet të cilat i ka bërë”, ka potencuar ai. /Shqip.com