Kryetari i Bordit të RTK-së para Komisionit thotë se do të ketë reduktime në vendet e punës

Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Besnik Boletini ka paralajmëruar se do të ketë reduktime të stafit në këtë medium, përcjell Shqip.com.
Në raportimin para Komisionit për Buxhet dhe Financa, ai u shpreh i shqetësuar me shpenzimet e mëdha për paga në RTK, duke thënë se janë 80 redaktorë dhe 60 gazetarë.
“Si Bord i ri, të gjitha këto shqetësime i ndajmë me ju, fatkeqësisht shpenzimet janë për paga. Për neve ky numër që kemi gjetur, ne nuk kemi shkuar aty me heq njerëz prej pune. Ne kemi shkuar për t’i motivuar njerëzit për të punuar.
Dhe, situata të cilën e kemi gjetur është problematike, sepse si punëtorë të rregullt në televizion më shumë ka redaktorë se gazetarë, madje goxha shumë. Janë diku mbi 80 redaktorë, ndërsa rreth 60 gazetarë në total”, theksoi Boletini.
Sipas tij, përveç shpenzimeve të mëdha në televizonin publik, janë të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve aty.
“Kemi parë që numri i këtyre personave të angazhuar është 239. Kjo nënkupton që të gjithë kanë hyrë pa konkurs dhe të gjithëve i është vazhduar kontrata ndër vite pa iu vlerësuar performanca. Përveç shpenzimeve që janë bërë, që ndoshta kanë qenë edhe të paarsyeshme, ne jemi të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve, sepse ky lloj i kontratës nuk parash asnjë benefit të punës.
Ka pasur raste kur gratë lehona kanë dalë në punë një muaj pasi kanë lindë. Ne si bord jemi të vendosur që këtë problem ta eliminojmë”, theksoi ai.
Ndërkaq, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar Programin e Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022 në shumën prej 2 milionë e 240 mijë euro./SHQIP.com