Lajme

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor e quan vettingun humbje kohe

Viti 2023 do të vazhdojë me betejat mes gjyqësorit e politikës. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka paralajmëruar që në rast se tentohet t’u ulen pagat, ky institucion do t’i drejtohet Kushtetueses. Ai ka folur edhe për rastet kur Qeveria komenton vendimet e tyre, kurse vettingun e ka konsideruar humbje kohe.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, e ka paralajmëruar edhe 2023-n si vit të polemikave e përballjes me ekzekutivin.

E kjo mund të ndodhë qysh për çështjen e Ligjit të Pagave.

“Nuk mund të ketë ulje të pagave të gjyqtarëve sepse janë legjitimuar pagat me ligj e vendim dhe realisht për 5 vjet gjyqtarët kanë pranuar këto paga dhe në kohën e inflacionit të madh dhe krizës të ulen pagat është krejtësisht e papranueshme… Për fat të keq deri tani nuk kemi një refleksion të Avokatit të Popullit as në raport me vendimin e përparshëm dhe as të paktën deri tani të deklaruar me Ligjin e pagave, megjithatë, pavarësisht kësaj, gjyqësori do të shikojë të gjitha mundësitë kushtetuese për ta ndjekur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar Zogaj, transmeton Kosova Press.

Ankesa ai ka pasur edhe për Ligjin për Zyrtarët Publik.

Në vitin 2022, gjyqësori e ekzekutivi kanë pasur shpesh akuza e kundërakuza.

Këto reagime të ekzekutivit karshi gjyqësorit, Zogaj i konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Ai thotë se vendimet e gjyqtarëve duhet pranohen e jo të komentohen, aq më pak nga kryeministri i vendit.

“Kjo është ndërhyrje direkte në punën e gjykatave, paramendoni në një vend demokratik kryeministri të interesohet për emrin e gjyqtarit që vendos për një çështje gjyqësore, është absurde dhe e papranueshme”, është shprehur Zogaj.

Ai ka folur edhe për procesin e vettingut në institucionet e drejtësisë. Ka thënë se ende nuk janë ftuar në komisionin Ad-Hoc për vetting, edhe pse janë institucion kyç, por thekson se në mënyrë absolute do të bashkëpunojnë me këtë Komision. Vettingun përmes ndryshimeve kushtëtuese e ka quajtur humbje kohe.

“E kemi kundërshtuar diskutimin për ndryshime kushtetuese sepse mendojmë se nuk është e nevojshme, edhe tash mendoj se nuk është e nevojshme… Ka pak çudi në këtë proces për shkak se kur shikon përbërjen e grupit ka një dakordim të komplet spektrit politik për vettingun në gjyqësor, njerëzit që nuk dakordohen për asgjë janë dakorduar për gjyqësorin… Ne po e shohim si humbje kohe të reformës në sistemin gjyqësor, e konfirmoj edhe vetë qeveria që është punuar në dy vite në diskutimin në reformën e gjyqësorit dhe pas dy vitesh, cili është rezultati? Ende jemi në pikën zero të reformës në gjyqësor, përveç që ka një opinion të Venecias që mund të bëhet një reformë….”, ka theksuar Zogaj.

Ai ka thënë se me punët që i kanë ndërmarrë si Këshill Gjyqësor, 2022-a është më i suksesshmi ndër vite.

Sipas tij, veprimet e ndërmarra në vitin e kaluar do ta shkurtojnë kohëzgjatjen e qëndrimit të lëndëve nëpër gjykata.

/Shqip.com