Lajme Botë

Kroacia pranohet në zonën Schengen

Deputetet e Parlamentit Evropian kanë mbështetur Kroacinë që të bëhet anëtare e zonës Schengen.

Sipas raportit, 534 vota kanë qenë ‘Për”, 53 ‘kundër’ dhe 25 ‘abstenime’.

Më 9 dhjetor 2021, Këshilli konfirmoi se Kroacia kishte përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin e plotë të rregullave të Shengenit. Pastaj deputetët e Parlamentit i kërkonin Këshillit të vazhdojë me procesin dhe të miratojë një vendim përfundimtar për të hequr kontrollet kufitare.


Për të siguruar që të drejtat themelore në kufijtë e jashtëm të BE-së të respektohen, deputetët e PE-së i kërkuan Kroacisë të informojë Parlamentin dhe Këshillin se si e zbatoi planin e vet të veprimit për administrimin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe veçanërisht mekanizmin e pavarur për të mbikqyrur veprimet e oficerëve të policisë.


Parlamenti Evropian ka kohë që mbron zgjerimin e zonës shengen të udhëtimit të lirë, e cila sot përfshin 26 shtete (të gjitha vendet anëtare të BE-së me përjashtim të Bullgarisë, Kroacisë, Qipros, Irlandës dhe Rumanisë, plus vendet jo anëtare të BE-së Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni).

Në vitin 2018, deputetët deklaruan se Kroacia duhet të pranohet në Shengen sapo të përmbushë kriteret e nevojshme. Më 18 tetor 2022, ata shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre për pranimin pa vonesë të Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen.

/Shqip.com