Ekonomi

ZRRE-ja po shqyrton rikthimin e bllok-tarifave

Ilustrim.

Në kohën kur Kosova po përballet me krizë energjetike, ndërsa reduktimet janë kthyer si në vitet e para të pasluftës, rikthimi i bllok-tarifave po shihet si zgjidhja më e mirë për tejkalimin e situatës.

Burime të Shqip.com bëjnë me dije se një nga masat që po trajtohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për menaxhimin e situatës për furnizim me energji elektrike është vendosja e bllok-tarifave.

Nga ky organ nuk kanë konfirmuar asnjë nga masat që po shqyrtohen, veçse kanë thënë se janë duke u kryer analiza dhe vlerësimet të cilat shumë shpejt do të bëhen publike përmes Raportit Konsultativ.

“ZRRE-ja është në proces të shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor nuk mund të themi asgjë pa u kryer të gjitha analizat dhe vlerësimet të cilat shumë shpejt do të bëhen publike përmes Raportit Konsultativ, me qëllim të përfshirjes së të gjitha palëve në proces, para marrjes se vendimit përfundimtar nga Bordi i ZRRE-së”.

“Me publikimin e Raportit konsultativ ju do të gjeni edhe përgjigjet në pyetjet e juaja në lidhje me tarifat e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e Adelina Murtezajt, zëdhënëse në ZRRE, për Shqip.com.

Sa i përket situatës së përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, Murtezaj ka pohuar se rregullatori brenda mandatit të tij është duke monitoruar situatën me qëllim që të sigurohet se operatorët e licencuar janë duke u sjellë konform kushteve të licencës.

Largimi i bllok-tarifave ndikoi në rritjen e konsumit të energjisë

KEDS

Kosova i kishte larguar bllok-tarifat që në vitin 2017. Sipas Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike, ky vendim ka ndikuar direkt në rritjen e konsumit të energjisë elektrike.

“Kjo, pasi një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve kanë filluar që të ngrohen me rrymë. Kjo ka bërë që vjet dhe sivjet të krijohen edhe një numër i konsiderueshëm i mbingarkesave në rrjet, të cilat janë evituar dhe po evitohen çdo ditë nga KEDS-i”, ka thënë për Shqip.com, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Aktualisht në Kosovë, siç ka bërë të ditur ai, rreth 65-70 për qind e energjisë konsumohet në amvisëri, ndërsa pjesa tjetër nga konsumatorët komercialë.

“Sa i përket konsumit nga amvisëritë, atëherë kjo vjen si pasojë e përdorimit masiv për ngrohje. Pra, shpenzuesi më i madh janë kaldatë që funksionojnë me energji elektrike dhe aty ku janë të vendosura marrin rreth 75 për qind të konsumit total”.

“Ndërsa, nëse nuk ka kaldaja, atëherë bojleri merr rreth 45 për qind të konsumit. Ndërsa pajisjet tjera, si shporeti elektrik, enëlarësja, rrobalarësja etj janë shpenzues më të vegjël”, ka deklaruar Buzhala. 

Rivendosja e bllok-tarifave – zgjidhje

Dardan Abazi nga INDEP

Rivendosja e bllok-tarifave nuk është dashur të diskutohet sepse nuk është dashur të hiqet fare, thotë Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore.

Me heqjen e tyre sipas tij, është nxitur konsumi më i madh i energjisë elektrike.

Mes tjerash, Abazi shton se rivendosja e këtyre bllok-tarifave është rruga e duhur që të zbutet kërkesa për energji.

“Çfarëdo ndryshimi i çmimit duhet t’i prekë ata që shpenzojnë më shumë energji dhe jo ato familje që s’mund të përballojnë rritje të çmimit të energjisë e që zakonisht janë familjet që nuk harxhojnë shumë energji”, deklaroi ai në një prononcim për Shqip-in.

“Pra, konsiderojmë që një bllok-tarifë që të paktën do të ndahej deri në 600 kilovat të konsumit të energjisë, do të ishte e domosdoshme që të nxitet ndryshimi i sistemeve të ngrohjes dhe të përdorim alternativa të tjera që harxhojnë më pak rrymë dhe e shkarkojnë sistemin nga kërkesa e madhe për energji”.

Ndërsa, vendimi i Ministrisë së Ekonomisë për të ndaluar prodhimin e kriptovalutave në vend, sipas Abazit është “tërësisht joligjor dhe i papranueshëm”.

Me këtë vendim, ai theksoi se janë shkelur të drejtat komerciale të qytetarëve me arsyetimin se po kursehet energjia elektrike.

Më tej, Abazi tha se vendosja e bllok-tarifave për të gjithë konsumatorët do të ishte qasja më e drejtë, por shtoi se “duhet të vendosen parimisht për amvisëri, sepse 60 për qind e konsumit shfrytëzohet në këtë sektor”.

Në fund, pohoi se “sa më shumë që të përshkallëzohen konsumatorët nga ata që shpenzojnë më së paku deri tek ata që shpenzojnë më së shumti, aq më pozitive do të jetë për kursimin e energjisë elektrike në përgjithësi”.

Efektet e rivendosjes së bllok-tarifave, sipas tij, do të shihen menjëherë në vitin 2022.

Bllok-tarifat ishin pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë deri në vitin 2017, kur u larguan pas kërkesave të vazhdueshme të një pjese të shoqërisë civile, opozitës dhe konsumatorëve.

Ato parashihnin që kur një familje shpenzonte më shumë se 600 kWh energji në muaj, çmimi ishte më i lartë në krahasim me familjet që shpenzonin nën 600 dhe nën 300 kWh në muaj.

Bllok-tarifat aplikohen nga shumë vende në botë, pasi nxisin kursimin e energjisë elektrike nga konsumatorët për shkak të rregullit të thjeshtë: ai që shpenzon më pak rrymë, paguan më lirë çmimin e kilovatit të shpenzuar. /SHQIP.com