Krimet ekonomike të PK-së në dy raste të ndara arrestojnë shtatë persona,dyshohet se keqpërdoren detyrën zyrtare

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës në dy raste të ndara kanë arritur që të arrestojnë shtatë përsona, pasi që dyshohet se keqpërdoren detyrën zyrtare.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka realizuar dy operacione policore të cilat kanë rezultuar me arrestimin e shtatë personave të dyshuar të përfshirë në aktivitete kriminale”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Rasti i parë ka ndodhur në Obiliq ku dyshohet se dy persona, nuk u janë përmbajtur kritereve të projektit.
“Rasti i parë është realizuar sot me datë 25.07.2022 në Obiliq, ku dyshohet se dy personat e dyshuar, përgjegjësit e mbikëqyrjes së punimeve në projektin me titull: “Ndërtimi i brezit të gjelbër – Kosova A”, duke mos iu përmbajtur kritereve të projektit që ndërlidhen me vendosjen (madhësinë) e gypave, dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të Komunës së Obiliqit dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në njoftim.
Më këto veprime të dyshuarit O.K. dhe A.D. dyshohet se kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, në “Bashkëkryerje”, nga neni 31 i KPRK-së si dhe “Mashtrimi në detyrë” nga neni 419” i KPRK-së, në “Bashkëkryerje”, nga neni 31 i KPRK-së,thuhet më tutje në njoftim.
Me vendim mbi ndalimin nga Prokurori kompetent të dyshuarit e lartcekur O.K. dhe A.D janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërsa në rastin e dytë, gjatë ditës së sotme në rajonin e Prizrenit janë arrestuar pesë persona mbi dyshimin e bazuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
“Nga veprimet hetimore të zhvilluara janë siguruar dëshmi se katër zyrtarët nga Zyra për Kthim dhe Komunitete në Komunën e Prizrenit (C.B, I.D, R.D, A.I, dhe SH.B, përgjegjës i Operatorit Ekonomik, në bashkëkryerje kanë kryer dy veprat penale të lartcekura” thuhet në njoftim.
Veprimet lidhur me këtë rast janë kryer ne bashkëpunim me prokurorin kompetent, ku pasi janë shoqëruar dhe intervistuar të pesë personat e dyshuar, me Aktvendim të prokurorit të shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Shqip.com