Lajme

Kreshnik Radoniqi: KQZ ka avancuar në organizimin e zgjedhjeve

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka deklaruar se institucionin të cilin e udhëheq ka arritur një avancim në organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Radoniqi këto komente i bëri në një tryeze të organizuar për të diskutuar rreth transparencës në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve në Kosovë, ndër të tjera ai ka shprehur nevojën për një ligj të ri.

“Natyrisht që e kemi ligji të vjetër dhe ka nevojë për ndërhyrje apo ndoshta edhe ndryshim të sistemit zgjedhor, ajo le të mbetët një çështje që do ta trajtojnë partitë politike, së bashku me ne apo edhe me shoqërinë civile por një ligj i ri është shumë i nevojshëm për të t’u adresuar shumë çështje të cilat janë ngritur nga monitorues të ndryshëm të zgjedhjeve jo vetëm të Bashkimit Evropian por edhe të disa organizatave të tjera që kanë jep rekomandimet e tyre”, është shprehur Radoniqi.

Nga ana tjetër, Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës, i ka bërë thirrje institucioneve, pasi që vendi ka përfunduar dy palë zgjedhje vitin e kaluar është momentumi për fillimin e një reforme zgjedhore.

“Do te ishte momentumi më i mirë politik që të fillojmë me reformë zgjedhore e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe mos të merr vetëm segmente të caktuara të cilat mund të shkojnë në favor te një subjekti politik”, ka thënë Kryeziu.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë se ABC-ja e demokracisë dhe zgjedhjeve është çështja e financimit të partive politike

“Nëse partitë politike në esencë nuk janë transparente në mënyrën se si financohen dhe mënyrën se si i shpenzojnë ato financa që i kanë atëherë qysh mund të presim që ato kur te vijnë në pushtet kanë me qenë transparente në menaxhim të buxhetit të shtetit apo te komunave të caktuara”, ka thënë Demhasaj.

Demhasaj gjithashtu ka thënë se financim i partive politike duhet të rishikohet së bashku me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale.

Alim Rama, anëtar i KQZ-së është shprehur se ky institucion ka nevojë për punë qe të përmisohet dhe të rregullohet sistemi i publikimeve.

“Një vërejtje që është cekur për herë të parë sivjet ka qenë mungesa ose vonesa në shpalljen ose publikimin e vendimeve të KQZ-së. Një element tjetër që është shumë me rëndësi është transparenca në publikimin e rezultateve preliminare posaçërisht për kandidatë. Kjo është një vërejtje që ceket vazhdimisht nga raportet e BE-së, ka deklaruar Rama./Shqip.com