Lajme

Krerët opozitarë ngushëllojnë pas vdekjes së Kolë Berishës: Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira

Lumir Abdixhiku - Ramush Haradinaj

Kryetarët e dy partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë reaguar pas vdekjes së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, njofton Shqip.com.

I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Berishës, që njëherësh ishte edhe ish-nënkryetar i kësaj partie.

Abdixhiku në telegramin e ngushëllimit ka shkruar se mëngjesi i sotëm nuk ishte i dhimbshëm vetëm për familjen Berisha, por edhe për Lidhjen Demokratike, si dhe krejt Kosovën.

Ai ka thënë se Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendin tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci.

“Përpjekjet e Berishës për ndërtimin e institucioneve të Kosovës do të mbeten të paharruara në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndërsa puna dhe veprimtaria e tij do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi”, është shprehur ai.

Ngushëllime me rastin e vdekjes së Kolë Berishës ka shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se ndjehet i pikëlluar për këtë rast.

Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj thotë se Berisha ka dhënë kontribut të çmuar për arsimin ndër vite.

Ai është shprehur se në kohën kur organizimi jonë për çlirim merrte formë, Berisha angazhohej në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive dhe në themelimin e institucioneve paralele në Kosovën e okupuar.

“Pas luftës, ai vazhdoi kontributin e tij në shtetndërtim, ku mes tjerash kryesoi Kuvendin e Kosovës. Ngushëlloj me këtë rast familjen Berisha, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën”, shtoi më tej Haradinaj.

Berisha vdiq të dielën e 29 gushtit si pasojë e një sëmundjeje të rëndë me të cilën luftoi për kohë të gjatë. /Shqip.com