Lajme

Krasniqi uron Ditën e Punëtorëve, përmend Ligjin e Pagave

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar të gjithë punëtorët ë Kosovë pa dallim ditën e tyre 1 Maji, Dita e Punëtorëve.

Përmes një postimi në Facbook, Krasniqi ka shkruar se uron të gjithë punëtorët, nga bujku që bukën e gojës e fiton me djersën e ballit e deri tek mësuesit tanë që për shumë vite arsimuan breza të rinjsh pa asnjë kompensim.

“Megjithatë, 1 Maji i këtij viti, i ka gjetur punëtorët e sektorit privat dhe ata të sektorit publik në një krizë me shumë sfida dhe ende pa ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës. Mos miratimi i Ligjit të Pagave dhe rritja jodinjitoze e pagës minimale për të përballuar shtrenjtimet e mëdha të çmimeve, është tregues i qartë se qeveria aktuale nuk ka vizion zhvillimor për vendin”, ka shkruar ai.

Kreu i PDK-së gjithashtu ka thënë se pandemia dhe rritja e çmimeve të të gjitha produkteve, sot e kanë bërë më të vështirë jetën e familjeve kosovare.

Sipas Krasniqit miratimi i ligjeve bazike për punëtorët dhe të drejtat e tyre, është minimumi që qeveria e Kosovës duhet të bëjë, ndërsa rritja e pagave konform krizës së madhe, është detyrim institucional./Shqip.com