Krasniqi tregon për ftesën ndaj Konjufcës në Marshin për Drejtësi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se liderëve të partive që janë në pushtet ishin të ftuar që të i bashkoheshin Marshit për Drejtësi të organizuar në Prishtinë.
Vetëvendosje e përkrahu marshin me anë të një komunikate zyrtare por nuk kishte liderë të saj në marsh.
Krasniqi thotë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte i ftuar të merrte pjesë në marsh dhe të merrte fjalën para turmës.
“Konjufca ka qenë i ftuar të jetë në foltore. Çështje e tij pse nuk erdhi. E ka bërë një publikim në Facebook. Kam komunikuar vetë me të dhe kam shprehur dëshirën që ai të jetë aty. Më thanë edhe organizatorët se kanë biseduar me të. Kam konsideruar se ai do të ishte mirë që të ishte aty. Por nuk dua të komentoj mungesën e liderëve në marsh”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Tutje, Krasniqi ka theksuar se ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë përcjellë marshin për drejtësi të organizuar në Prishtinë.
Ai thotë se ata e kishin ndjerë përkrahjen e dhënë nga populli para seancës së parë të gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Ishte emocionuese se do ta dinim se do ta shihnin përkrahjen e madhe për ta. Me Uranin dhe Abelardin arritëm të ishim në seancën e parë, përkundër vonesave të fluturimit. Pas marshit fola me Thaçin dhe Veselin. Jam dëgjuar në telefon pas seancës së ditës së parë dhe e kemi ndjerë se kanë qenë shumë të inkurajuar dhe më të fortë në atë ditë”, tha Krasniqi.
/Shqip.com