Lajme

Krasniqi: Pushteti i Kurtit ka refuzuar iniciativën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar

Albin Kurti dhe Memli Krasniqi.

Është refuzuar iniciativën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar nga pushteti i udhëhequr nga Albin Kurti, sipas Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi përmes një postimit në Facebook ka thënë se Komisioni kishte për qëllim për të nxjerrë në pah të gjithë ecurinë e shpenzimit të mbi 100 milionë eurove të destinuara për furnizim me energji elektrike gjatë krizës me të cilën u ballafaquan qytetarët e Kosovës gjatë katër muajve që lamë pas.

“Kjo nuk është vetëm përpjekje për të shmangur transparencën si parim, por edhe përpjekje direkte për të fshehur të vërtetën dhe për të shmangur transparencën si obligim. Qytetarët e Kosovës, të cilëve ZRRE-ja me bekimin e qeverisë Kurti ua ka rritur faturat e energjisë elektrike, kanë të drejtë të kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë se në cilat linja, konkretisht për çfarë dhe se si janë shpenzuar mbi 100 milion euro nga taksat e tyre”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka thënë se pushteti është munduar që këtë të drejt t’ia mohoj qytetarëve dje, por sipas tij kjo nuk do të ndodh.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, do të mbledhin nënshkrimet për themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me këtë çështje, themelimi i të cilit pas refuzimit të mazhorancës, konfirmon se nuk kemi të bëjmë vetëm me dyshime të bazuara, por me të vërteta që duhet t’i dinë qytetarët, e të cilat pushteti po tenton t’i evitojë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Krasniqi ka shkruar gjithashtu se transparenca është karakteri i një qeverisjeje, një pushtet që proklamon veten si pushtet i drejtë, përse do të duhej të frikësohej nga transparenca?/Shqip.com