Krasniqi i VV-së kërkon të bojkotohet balotazhi në Malishevë

Kandidati për kryetar të Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, pas humbjes në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, u ka kërkuar votuesve në këtë komunë që ta bojkotojnë balotazhin e 14 nëntorit.
Këtë kërkesë ndaj votuesve e ka bërë pasi sipas tij, asnjëra prej subjekteve që kanë fituar balotazhin “nuk përfaqësojnë vlera për të cilat ne angazhohemi, përkundrazi janë sinonim i krimit”.
Krasniqi në zgjedhjet e së dielës, sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është radhitur i katërti në listë. Ka marrë vetëm 15.04% të votave.
Më së shumti vota në Malishevë ka marrë kandidati i Nismës Socialdemokrate, Ekrem Kastrati – 34.30%, i cili shkon në balotazh me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Isni Kilaj, i cili ka marrë 29.07% të votave.

E sipas Krasniqit, në Malishevë shprehja ‘demokraci’ dhe ‘vullnet i lirë’ janë ende larg të qenit realitet.
“Do të dëshiroja të uroja qytetarët për këto zgjedhje por duke qenë i vetëdijshëm për mënyrën sesi përdoren ende mekanizmat e klientelizmit, shantazhit dhe patronazhit në komunën tonë kjo më bënë të ndjej keqardhje për pamundësinë që të triumfoj vullneti i lirë”.
“Andaj, fitores së figurave që janë sinonim i krimit dhe korrupsionit nuk kam sesi t’i gëzohem dhe as sesi t’i uroj”, ka shkruar ai në Facebook./SHQIP.com