Krasniqi drekon me Begajn në Prizren

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot gjatë ditës së marte është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn.
Sic ka njoftuar Krasniqi në Facebook, dreken e përbashkët e kanë bërë në qytetin e Prizrenit në pritjen e kryetarit të kësaj komune Shaqir Totajn.
“Pasdite e këndshme në kryeqytetin historik e kulturor të shqiptarëve, në Prizren, ku drekuam me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe delegacionin e tij, të mirëpritur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Jemi një”, shkroi Krasniqi.

Begaj sot është takuar me drejtuesit e partive opozitare të PDK-së dhe të AAK-së, si dhe me përfaqësues të partive minoritare.
Vizita e Begajt në Kosovë ka nisur më 15 gusht ku është pritur me nderime shtetërore nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Përveç Osmanit, Begaj ka takuar edhe kreun e ekzekutivit, Albin Kurtin.
Gjatë qëndrimit në ditën e parë në Prishtinë presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se të dy vendet ndajnë aspiratat e njëjta drejt rrugës evropiane.
Ai ka thënë se Shqipëria e mbështet Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndërsa ka theksuar se do të jetë zëri i Kosovës aty ku i jepet mundësia.
Lexo edhe:
Begaj: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave premtim i vonuar
Presidenti i Shqipërisë ka bërë homazhe pranë varrit të presidentit historik Ibrahim Rugova si dhe familjes Jashari në Prekaz.
Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Begaj ka refuzuar t’i takojë udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
LDK ka shprehur keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë.
Për dallim nga krerët institucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj”, thuhet në përgjigjen për Shqip.com.
“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, thuhet tutje./Shqip.com