Lajme

Krasniqi: Barrikadat në veri janë të sinkronizuara me Beogradin, Qeveria të koordinohet me partnerët strategjik dhe të sigurojë respektim të ligjit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se barrikadat dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit po bëhen nga strukturat kriminale të orkestruara nga Beogradi.

Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.

“Vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme. Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë. Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit”, ka shkruar Krasniqi.

Më tej, ai u ka bërë thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të monitorojnë situatën e krijuar në veri.

“Këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t’i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar”, ka shkruar kryetari i PDK-së në Facebook.

Lexo edhe:
Kurti: Orët, ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike

Theksojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar mbi zhvillimet e sotme, pak kohë para hyrjes në fuqi të vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Kurti, përmes një adresimi në faqen e tij në Facebook, ka paralajmëruar se mund të ketë se orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike.

“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, ka shkruar ai.

Bllokimi i rrugës në Bërnjak

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të bllokadave të vendosura.

Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com