Lajme

KQZ tregon se si po shkojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror Zgjedhor

Zëvendëskryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Besnik Buzhala, ka njoftuar se në të gjitha komunat e Kosovës janë duke shkuar përgatitjet sipas planit operacional për zgjedhjet lokale, përcjell Shqip.com.

Në mbledhjen e së mërkurës, Buzhala tha se përgatitjet kanë ngecur vetëm në veri ku pas djegies së Qendrës së Regjistrimit në  Zubin Potok, anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve nuk kanë dalë në punë.

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Po ashtu, gjatë kësaj mbledhjeje është vendosur që qendra e vendvotimit “1 tetori” të zhvendoset në objektet e Fakultetit të Edukimit, sepse ajo është duke u përdorur si qendër për vaksinim të qytetarëve kundër COVID-19.

“Sa i përket gjendjes në komunat e Kosovës përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë sipas planit operacional. Prej raportimit të fundit sidomos të Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Zubin Potokut nuk ka ndonjë ndryshim, gjendja është e njëjtë. Do të thotë procesi është duke u zhvilluar normal në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, përveç ajo që është raportuar në mbledhjen e fundit të KQZ-së për komunën e Zubin Potokut gjendja është e njëjtë”, tha ai, raporton KP.

Lexo edhe:
Shqip.com shpall konkurs për gazetarë dhe praktikantë

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alim Rama, tha se do të bëhet njoftimi i votuesve për këtë ndryshim dhe se do të vendosen shenjat në sallën “1 tetori” që qytetarët të udhëzohen për në objektin e Fakultetit të Edukimit.

“Duke marrë parasysh se Qendra 1912 në Komunën e Prishtinës ndodhet në sallën ‘1 tetori’, e cila përdoret për vaksinimin dhe imunizimin e qytetarëve, qendra e vendvotimit e ndërron lokacionin nga salla ‘1 tetori’ në objektin e Fakultetit të Edukimit. Të gjitha konfirmimet janë marrë nga vendet përkatëse, kështu që Këshilli për Operacione Zgjedhore rekomandon zëvendësimin e lokacionit të qendrës nga salla ‘1 tetori’ në objektet e Fakultetit të Edukimit.

Sekretariati ka marrë udhëzim që të bëjë njoftimin e votuesve, po ashtu sikurse e kërkon ligji të vendoset një shenjë që salla ‘1 tetori’ të gjithë votuesit që shkojnë në ditën e zgjedhjeve në ‘1 tetori’ do të udhëzohen të shkojnë në objektin e Fakultetit të Edukimit”, tha ai.

Në këtë mbledhje është aprovuar edhe kërkesa buxhetore për rregullimin e qendrës mediale të KQZ-së.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor./SHQIP.com