KQZ pranon vetëm 99 pako të supozuara me fletëvotime për Dragashin

99 pako të supozuara me fletëvotime që u takojnë votimit nga jashtë për kryetar të Komunës së Dragashit, I ka pranuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri të premten në mesditë, njofton Shqip.com.
Zëdhënësi i këtij komisioni, Valmir Elezi, ka përsëritur se KQZ-ja do të presë fletëvotimet deri më 13 dhjetor, kur parashihet të përfundojë kjo periudhë, e cila është e vlefshme vetëm për një mijë e 90 votuesit jashtë Kosovës që i takojnë komunës së Dragashit.
“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri të premten në mesditë, KQZ ka pranuar 99 pako të supozuara me fletëvotime”, ka thënë Elezi.
“Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, u shpreh më tej ai, raporton KP.
Votimi përmes postës për Dragashin nisi më 29 nëntor pasi që Gjykata Supreme urdhëroi KQZ-në që të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.
Votat e diasporës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash, ku pas numërimit të votave i pari në garë doli Bexhet Xheladini nga LDK, kurse me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani. /Shqip.com