Lajme

KQZ nuk ka buxhet për zgjedhjet në veri, pritet të dërgohet kërkesë buxhetore në Qeveri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Valmir Elezi.

“Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja ka miratuar planin operacional ku janë të parapara të gjitha aktivitetet që do të ndërmerren me qëllim të organizimit të këtyre zgjedhjeve. Aktivitetet për organizimin e këtyre zgjedhjeve i referohen afatit prej 34 ditësh që është në dispozicion të KQZ-së”, tha Elezi.

Po ashtu Elezi, ka bërë të ditur se KQZ-ja, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për të dy raundet e zgjedhjeve, i cili është në shumën e 556 mijë e 482 eurove.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili është në shumën: 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve. Meqenëse këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe KQZ-ja nuk ka buxhet, kërkesa buxhetore do t’i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Elezi.

Disa orë më parë, Lista Serbe njoftoi se nuk do të marre pjesë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 18 dhjetor.

/Shqip.com