Lajme

KQZ-ja certifikon rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat e veriut

KQZ
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

Në rend dite të mbledhjes së sotme është edhe certifikimi i Rezultateve, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave: Zveçan dhe Leposaviq.

Po ashtu në rend dite janë edhe disa pika të tjera

Kujtojmë se, ditën e martë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet për zgjedhjet lokale të 23 prillit që u mbajtën në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas KQZ-së, në garën për kryetarin e ri të Komunës të Leposaviqit, fitues është shpallur Lulzim Hetimi nga Lëvizja Vetëvendosje me 73.5 për qind të votave të fituara.

Kjo parti fitoi garën edhe në Mitrovicë të Veriut. Kreu i ri i kësaj komune do të jetë Erden Atiq, që ka fituar 66.9 për qind të votave.

Dy komuna i kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Komunën e Zveçanit do ta udhëheqë Ilir Peci nga kjo parti me 59 për qind të votave të fituara. Ndërkaq, në Zubin Potok fitues u shpall Izmir Zeqiri me 52.2 për qind të votave.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e rinj të katër komunave veriore u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe atje. Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Më 23 prill, u mbajtën edhe zgjedhjet e parakohshme për asambletë komunale në Leposaviq dhe Zveçan.

Në Leposaviq, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 15 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës dy, aq sa ka fituar edhe Partia e Serbëve të Kosovës.

Në Zveçan, 11 ulëse në Asamblenë komunale i ka fituar Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje tetë.

Në zgjedhjet e 23 prillit nuk mori pjesë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – që deri më tani kishte udhëhequr me këto komuna. Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit, bëri thirrje për bojkotin e procesit zgjedhor.

Procesi zgjedhor kaloi pa asnjë incident dhe qytetarët, përveç se në disa shkolla, votuan edhe në 13 kontejnerë të vendosur në lokacione të ndryshe në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhjen për mospjesëmarrjen e partive serbe në këto zgjedhje, pasi vetëm një kandidate e pavarur serbe garoi për kreun e Zveçanit.

/Shqip.com