Votimi me postë për kryetarin e Dragashit bëhet në këto data

Mërgimtarët e regjistruar si votues jashtë Kosovës, do të duhet të votojnë edhe një herë për të zgjedhur kryetarin e Komunës së Dragashit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që votimi të nis nga data 29 nëntor dhe të zgjasë deri më 13 dhjetor, shkruan Shqip.com.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë më 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor 2021”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Këtë të drejtë, sipas KQZ-së, do ta kenë vetëm “votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”.
Numri i votuesve nga diaspora me të drejtë vote për të votuar sërish për kryetar të komunës së Dragashit është 1 mijë e 90.
Theksojmë se, Gjykata Supreme të enjten ka marrë vendim që të mos njihen votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit.

Po ashtu ka vendosur që diaspora nga kjo komunë të votojë sërish dhe në bazë të atyre votave do të zgjidhet edhe kryetari i ri i komunës.
KQZ-ja, nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të balotazhit në Dragash pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar komune.
Ky vendim ka ardhur pasi që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, ka bërë ankesë në PZAP sepse kishte pretenduar se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 14 nëntor, ka pasur manipulime në votat me postë të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, “duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve”./Shqip.com