KPK kundërshton deklaratat e deputetëve të VV-së për Blerim Isufajn

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar pas deklaratave të zyrtarëve të lartë dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufajn.
Të mërkurën, më 19 prill, një numër i deputetëve të mazhorancës kanë kritikuar Isufajn, pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut Nagip Krasniqi.
KPK ka kundërshtuar fuqishëm dhe shpreh indinjatë të thellë ndaj deklaratave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të lartë të LVV-së, të cilët sipas tyre kanë përdorur gjuhë të papranueshme dhe tendencioze ndaj Isufajt.
Sipas komunikatës për media, KPK-ja ka konstatuar se disa zyrtarë të lartë shtetërorë po tentojnë të ndikojnë sistematikisht në punët e sistemit prokurorial dhe po përçojnë mesazhe tendencioze politike, “sikurse që kanë bërë edhe kësaj radhe, duke përdorur gjuhë denigruese kundër personalitetit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, gjë që është në kundërshtim me të gjitha normat etike, ligjore dhe kushtetuese”.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial ka vlerësuar se deklaratat e tilla janë në kundërshtim të plotë me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje flagrante dhe të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht të institucionit të Prokurorit të Shtetit, “ngaqë puna dhe angazhimi i të gjithave, përfshirë edhe PSRK-në, burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike, grupet e interesit dhe individët e caktuar”.
Me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka theksuar se qëndron plotësisht prapa punës së mirëfilltë dhe shumë profesionale të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe prapa punës dhe angazhimit të prokurorëve të PSRK-së dhe “në asnjë rast nuk do të tolerojë denigrimet dhe atakimet qëllimkëqija ndaj angazhimeve dhe përkushtimit të bartësve të sistemit prokurorial”.
Ndryshe, të mërkurën është arrestuar kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Pas arrestimit të tij, reagime të ashpra ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët akuzojnë organet e drejtësisë për arrestime të urdhëruara.
/Shqip.com