KOSTT: Sot nuk ka pasur reduktime të energjisë elektrike

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës ka njoftuar se të enjten, më 30 dhjetor me kërkesë të tyre nuk ka pasur reduktime të energjisë elektrike, përcjell Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, KOSTT deklaroi se kjo ka ardhur si rezultat i sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për të mbuluar konsumin për të enjten nga operatorët përgjegjës në treg.
“Njoftohet opinioni që sot me datë 30 dhjetor 2021 me kërkesë të KOSTT nuk janë aplikuar kufizime në konsumin e energjisë elektrike.
Kjo është si rezultat i sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për të mbuluar konsumin për ditën e sotme nga operatorët përgjegjës në treg, andaj për qëllime të balancimit të sistemit KOSTT nuk ka dhënë instruksione për redukime”, njofton tutje KOSTT.
Tutje, përmes njoftimit, KOSTT ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, duke kursyer aty ku është e mundur.
“Në vijim të mobilizimit të të gjithë akterëve relevant për tejkalimin e situatës, kërkohet nga të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, duke kursyer aty ku është e mundur, që të shmanget zbatimi i masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ për evituar paraqitjen e jobalanceve te theksuara në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar nga operatorët përgjegjës në treg”, thuhet ndër tjerash në njoftim./SHQIP.com