Lajme

Kosovës i duhet ende punë për liberalizimin e vizave

Kosova ka arritur të kaloj edhe një shkallë drejtë finalizimit të procesit të liberalizimit të vizave.

Por, sfida kryesore sipas njohësve të integrimeve evropiane është Këshilli i Ministrave të Parlamentit Evropian.

Njohësi i zhvillimeve politike, Visar Xani ka thënë për Shqip.com se votimi i fundit është përfundim i një procedure ‘burokratike’.

“Ka përfunduar një procedurë “burokratike” për liberalizimin e vizave, ku marrëveshja mes Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian është miratuar nga LIBE. Pas kësaj, ambasadorët do të miratojnë sërish marrëveshjen në fjalë me qëllim që Parlamenti Evropian të votojë sërish. Si përfundimtar, si përcaktim i përgjithshëm do të mbetet votimi nga Këshilli i Ministrave. Aty, nëse do të votohet me sukses, ky proces do të vazhdojë rrugëtimin pa pengesa”, tha Xani.

Njohësi i zhvillimeve politike, Visar Xani

Megjithatë, Xani shtoi se nëse procedurat vazhdojnë me këtë ritëm, Kosovës do i hiqen vizat në vitin e ardhshëm.

“Këshilli i Ministrave do të duhet të votonte me shumicë e thjesht. Në përgjithësi, duket një dinamikë e kënaqshme dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, sigurisht që do të liberalizohet në janar 2024”.

Por, sipas kryetares së Komisionit për Integrim Evropian dhe deputetes së LDK-së, Rrezarta Krasniqit, pas votimit në LIBE, votimi do të shkojë edhe në Parlamentin Evropian.

“Votimi pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE), është lajm i mirë për vendin. Tani, në bazë të praktikës votimi pritet të bëhet edhe në Parlamentin Evropian, për çështjen e liberalizimit të vizave, për të konfirmuar se qytetarët tanë meritojnë lëvizje të lirë, për çka tashmë është dëshmuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara për lëvizje në zonën shengen”, tha Krasniqi për Shqip.com

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi

Sipas Krasniqit, Këshilli i Ministrave do të votojë vetëm pas votimit në seancën plenare të PE-së.

Pas PE-së, për liberalizimin e vizave, voton edhe Këshilli i Ministrave të BE-së. Jemi optimist se padrejtësia ndaj popullit tonë do të marrë fund së shpejti”.

Ndërsa, ish-kryetari i këtij Komisioni, Ismet Beqiri ka shprehur optimizmin sa i përket kësaj çështje.

Beqiri tha për Shqip.com se opozita e mëhershme bëri që ky proces për Kosovën të shtyhej edhe pse ishin plotësuar të gjitha kushtet

“Sigurisht që votimi në Komitetin e Parlamentit Evropian për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, është i një rëndësie të veçantë. Shpresoj që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të shkojë mbarë edhe në votimet dhe procedurat e ardhshme, të cilat priten rreth kësaj çështje. Besoj që ne si Kosovë, ka disa vite që i kemi plotësuar kushtet që qytetaret tonë të lëvizin lirshëm, pa viza. Të gjithë e dimë që disa veprime të papërgjegjshme të opozitës së asaj kohe ,ka bërë që kjo çështje të shtyhet. Uroj që veprimet dhe puna e pozitës së tashme, të mos jenë si dikur të pa përgjegjshme kur nuk ishin në pushtet”, tha Beqiri.

Krahas kësaj, Beqiri është i bindur se opozita e tanishme do të ndihmojë këtë proces të Kosovës.

Ish-kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ismet Beqiri.

Kuptohet edhe opozita e sotme duhet bërë atë që eventualisht kërkohet prej tyre, e jam i bindur se këtë do ta bëjnë, të ndihmojnë në ketë proces të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Është e dhimbshme dhe e papranueshme që të mbetemi kështu të izoluar. Duhet të sillemi përgjegjshëm si institucione, që ky proces të shkoj mbarë deri në fund, e të mos bëjmë diçka jo të duhur, e kjo të na penalizoj dhe të shtyhet kjo punë. Uroj që më së largu në fillim vitin e ardhshëm, qytetaret tanë të lëvizin lirshëm”.

Pas shumë ngecjesh në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës, tetori i vitit që lamë pas dha një kthesë për këtë proces.

Më 12 të atij muaji, Komisioni lëshoi edhe një dokument, ku theksoi se rekomandimi “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Në takimin e parë të Grupit Punues për vizat e Kosovës që u mbajt më 13 tetor 2022, Franca kushtëzoi këtë proces.

Parisi zyrtar kërkoi që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për vizat e Kosovës, të bëhet me kushtëzimin e që të hyhet në fuqi Sistemi ETIAS.

Siç kanë raportuar mediat, ka pasur raporte se ky sistem është mbështetur nga së paku katër vende të Evropës, siç janë: Suedia, Belgjika, Holanda, Spanja.

Sistemi digjital ETIAS, i cili tani është kusht i ri për Kosovën në procesin e regjimit të vizave, ka për qëllim evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë Bashkimit Evropian, në zonën e lëvizjes së lirë, Shengen.

30 nëntori shënon ditën kur ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, u pajtuan që t’ia japin mandatin Këshillit të BE-së për të negociuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës, sipas propozimit të Këshillit, do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit – ETIAS dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Në rast se ky sistem nuk hyn në fuqi, atëherë data e fundit e heqjes së vizave për kosovarët do të jetë më së largu më 1 janar 2024.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është bërë përparim.

/Shqip.com