Lajme

Kosova kërkon nga Shqipëria ta mbrojë në organizatat ku s’është anëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, që vendi të cilin e drejton ta mbrojë Kosovën në organizatat ndërkombëtare në të cilat nuk përfaqësohet si shtet, njofton Shqip.com.

Kjo kërkesë për përfaqësim e mbrojtje erdhi nga takimet e ndara që presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, i realizuan me Metën, teksa u kërkua që Shqipëria të angazhohet për ta përçuar mesazhin në botë se Serbia po e rrezikon Ballkanin.

Presidentja Osmani ka thënë se bashkë me Shqipërinë, dy shtetet duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe botë që Ballkanit po i kanoset rreziku nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Shqipëria, Ilir Meta

Ajo ka përsëritur qëndrimin e Kosovës kundër ideve në të cilat vendi nuk trajtohet në mënyrë të barabartë me të tjerët, përfshirë këtu edhe iniciativën “Ballkani i Hapur” që është iniciuar nga Shqipëria bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonal, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar Osmani, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar nga Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ku Kosova nuk është anëtare.

Të dy liderët e Kosovës i kanë thënë Metës se dialogu me Serbinë duhet të ketë në qendër vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës. /Shqip.com