Korridori VIII/ Nis asfaltimi në autostradën Elbasan-Qafë Thanë (VIDEO)
Ka nisur asfaltimi i metrave të para në autostradën Elbasan-Qafë Thanë, e cila do të jetë me 4 korsi. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi nga pranë punimet mesditën e kësaj të hëne.
Balluku tha se për 6 javë duhet të përfundojnë punimet në lotin e parë të autostradës, nga Labinoti deri në fshatin Xibrakë dhe rruga do të jetë gati për qarkullimin e automjeteve.
“Kemi 4 segmente të hapura. Po punohet me shtresat mbushëse, gërmimet, pilotat në lumin Shkumbin. Do kemi tunel në zonën e Murrashit. Kemi vendosur barrierat këtu në lotin e parë të autostradës“, tha drejtori i ARRSH, Evis Berberi.
Shpejtësia në autostradën e Korridorit VIII, Elbasan-Qafë Thanë do të jetë 90 deri 110 km/h.
Komplekse pritet të jenë punimet pranë qytetit të Elbasanit, ku është parashikuar ndërtimi i një bypass-i për të lehtësuar qarkullimin.
“Shumë shpejt miratojmë projektin e bypass-t të Elbasanit. Do i japë zgjidhje trafikut. Jemi në pritje të detajimit të projektit dhe presim financimet për ta çuar përpara si projekt“, theksoi më tej Berberi.
Edhe pse punimet po avancojnë, banorët e kësaj zone janë të shqetësuar dhe pyetja që ata ngrenë është si do të lidhen zonat e banuara me autostradën.
“Ne kemi marrë masat që gjatë aksit Elbasan-Qafë Thanë, korridorit VIII, zonat e banuara do të kenë akseset e duhura. Por duhet kuptuar se kemi polemika, që autostradat e shpejtësisë nuk të japin mundësinë e akseseve ku të dëshirosh, por duhet të afrohesh te zonat të cilat kanë akses në trupin e autostradës së re apo dhe rrethrrotullime“, tha ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Autostrada do të ketë një devijim në Bushtricë dhe do të mbërrijë te pika e re doganore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Tenderi për lotet e mbetura, tha Berberi, do të finalizohet brenda 3 muajve në vijim.
“Për 4 segmentet e mbetura parashikojmë që brenda pranverës të hapim garën nga bypass-i i Librazhdit e deri në Bushtricë. Bushtricës do t’i rrimë 1 km larg sepse jemi duke projektuar nyjen së madhe që do të na kthejë drejt kanionit të Mënikut e cila do na ccojë te pika e re doganore, do kemi një tunel atje“, theksoi Berberi.
/Shqip.com