Konjufca pranon Raportin e Komisionit Evropian nga shefi i BE-së

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim sot Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, nga i cili e ka pranuar Raportin e Komisionit për Kosovën.
Ambasadori Szunyog është njoftuar rreth punës, arritjeve dhe sfidave të Legjislaturës së VIII-të.
“Kryetari Konjufca e njoftoi Ambasadorin Szunyog përkitazi me punën e deritashme, arritjet, planet dhe sfidat e Legjislaturës së VIII-të, teksa ka përmendur përmbushjen e konsiderueshme të agjendës legjislative, pastaj miratimin e Rregullores së re të Punës, pas më shumë se një dekade përpjekjesh, si dhe miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e Reformave Evropiane, që prej kohësh nuk kishin arritur të miratoheshin”, thuhet në njoftimin e zyrës së informimit të Kuvendit.
Kryetari Konjufca vlerësoi se dokumenti në fjalë pasqyron progresin e arritur si asnjëherë më parë dhe po ashtu shërben si udhërrëfyes për institucionet tona shtetërore që të angazhohen edhe më shumë në përmbushjen e detyrave, sidomos në ato fusha ku mund të bëhet më shumë.
Tutje sipas Konjufcës është i rëndësishme të theksohet fakti se Kuvendi vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka arritur të miratoi 87 ligje, shifër kjo më e larta e arritur gjatë një sesioni.
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane.
/Shqip.com