Lajme

Konjufca në takim me deputetin britanik kërkon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetin David Lammy, njëherësh Sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë takim, Konjufca i ka kërkuar deputetit britanik mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Kryetari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, teksa u shpreh mirënjohës për rolin e saj të veçantë në çlirimin, pavarësinë, shtetndërtimin dhe rrugën integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës. Ai po ashtu kërkoi nga Mbretëria e Bashkuar përkrahje të mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, duke përfshirë fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Deputeti britanik po ashtu gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

/Shqip.com