Lajme

Konjufca: Ky muaj i Ramazanit të jetë i frymëzimit për vepra të mira

Kryeparlamentari i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se muaji i shenjtë i Ramazanit është sprova hyjnore e harmonisë, dhembshurisë dhe dashamirësisë.

Konjufca ka thënë se ky muaj nxit bujarinë, mirësinë dhe ndjenjën e bukur të solidaritetit dhe vëllazërisë, ritualet shoqërohen me lutje të shtuara dhe përpjekje më të bashkërenduara për të dëgjuar e recituar fjalët e Kuranit të Shenjtë dhe për të jetuar një jetë etike.

“Përveç disiplinës fizike, Ramazani inkurajon edhe rritjen e detyrave intelektuale dhe shpirtërore. Agjërimi kërkon t’i nënshtrojmë pasionet tona të ulëta dhe t’i luftojmë zakonet e këqija shoqërore. Shërben gjithashtu si një kujtesë e rëndësishme e përgjegjësisë sonë sociale dhe etike ndaj mbarë njerëzimit”, ka thënë Konjufca.

Kryetari i Kuvendit ka thënë se në këtë mënyrë, muaji i Ramazanit ka mundësi të na afrojë edhe më shumë me Krijuesin tonë.

“Le ta ripërtërijmë angazhimin dhe përkushtimin ndaj kërkimit tonë shpirtëror, që e çon secilin prej nesh kah ndriçimi shpirtëror dhe drejt përmbushjes së përgjegjësive tona, duke aspiruar virtytet më të larta”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Konjufca është shprehur se për të gjithë besimtarët e fesë islame dëshiroj që ky muaj i Ramazanit të jetë i frymëzimit për vepra të mira dhe i shpërblimit të sakrificës e durimit./Shqip.com