Konfiskohen mbi 500 kilogramë drogë në Nish: U fut nga Kosova

Policia serbe ka arrestuar këtë të enjte një person në Nish, pasi në kamionin e tij janë gjetur mbi 500 kilogramë marihuanë.
Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, ky kamion ishte futur nga Kosova, ndërsa substanca më herët ishte bartur nga Shqipëria.
Sipas Policisë, droga ishte e destinuar për shitje në Serbi.
I arrestuari është shoferi me inicialet N.I, 46 vjeçar, i cili nuk ka pranuar të tregojë shtetësinë, shkruajnë mediat serbe, transmeton Shqip.com.
Në ngarkesën e zbuluar ishin 134 pako, me peshë të përgjithshme 520 kg.
I dyshuari N.I. i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Nish.
Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, ka uruar policinë për këtë aksion, ndërkohë ka thënë se “Serbia nuk do të jetë kurrë një vend i sigurt për tregtarët e drogës dhe trafikun e drogës”./SHQIP.com