Lajme

Konferenca e Mynihut, Borrell: Do zhvilloj takime me Kurtin dhe Vuçiçin

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se në Mynih do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.

Kurti dhe Vuçiç janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që nis punimet më 16 shkurt.

“Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiç] diku tjetër”, tha Borrell në Mynih.

Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiçit në Mynih vjen në një kohë kur janë rritur tensionet mes dy shteteve të tyre, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Bashkimi Evropian ka kërkuar që për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova dhe Serbia të diskutojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt dhe autoritetet kosovare thanë se ajo po zbatohet përmes një faze lehtësuese tranzitore, e cila do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

/Shqip.com