OP-ED Kolumne

Komunikimi me anë të një shalli!

Irena Beqiraj
Irena Beqiraj

Irena Beqiraj

Publikuar:

Gruaja në foto quhet Suzanne Schütz edhe ka qenë Ambasadorja gjermane në Shqipëri. Arsyeja përse e ndava sot me ju këtë foto, është se sa herë e kam takuar për shkak të detyrës, ajo dukej si në ketë foto. Zonja ishte gjithmonë e veshur me kostum (gri/ blu/ i zi) këmishë edhe elementi që më tërhiqte në veshjen e saj ishte shalli, shumëngjyrësh, por i ndryshëm çdo herë.

Përmes lidhjes që ka pamja me personalitetit, veshja edhe aksesorët janë një medium i rëndësishëm informues mbi brendinë e individit. Se çfarë një grua kërkon të tregojë për veten, e komunikon si fillim me anë të veshjes. Elegancën, konsistencën, mençurinë, bukurinë, brishtësinë, sensualitetin, sportivitetin, mirëqenien, identitetin apo edhe mungesën e tij, përcillen pa u vënë re me anë të veshjes.

Madje edhe për çfarë duan të dallohen, njerëzit e përcaktojnë së pari me anë të pamjes së tyre.

Kjo grua me mënyrën e saj të thjeshtë edhe të pandryshueshme, komunikonte konsistencë. Monotonia elegante në veshjen e Suzannës e drejtonte vëmendjen e çdo bashkëbiseduesi tek dëgjimi i kujdeshëm i fjalëve të saj, edhe aspak tek deshifrimi i lodhshëm i pamjes që kishte para. Por ia arrinte aq lehtësish edhe pa u vënë re ta prishte monotoninë me shallet plot ngjyra, të cilat për mua ishin emblema e një gruaje plot gjallëri, të qeshur si ngjyrat e shallit, ku mirëqenia e brendshme ishte po aq e dallueshme sa mençuria e saj.

Duke u munduar të bjenë në sy për “stilin e tyre alternativ” shpesh gratë adoptojnë tendencat dinamike të veshjeve në kulturën bashkëkohore, duke komunikuar kështu sa herë dalin në publik një krizë të rëndë identiteti.

Prej Suzanne Schütz në heshtje, mësova komunikimin me anë të një shalli, sikurse në heshtje nga gratë me “stil alternativ” mësoj çdo ditë sesa shpejt një grua pavarësisht pozitës rangut, nivelit të përfaqësimit, profesionit apo arsimimit, mund të rrëshqasë e ta shndërrojë veten të ngjashme me lodrat që u dhurohen fëmijëve në kutitë e patatinave, ose në një grua plot me bosh!

/Shqip.com