Lajme

Kombi dhe goli

Nga Ridvan Peshkëpia

Latë nam duke kryqëzuar një futbollist të kombëtares (a gaboi apo jo unë nuk e di, sepse unë nuk marr vesh nga futbolli). Nuk latë akuzë pa i bërë një djaloshi të ri, që nga flokët me xhel, te mbrojtja e kokës së vet e deri te tradhëti e hapur kombëtare sepse qenka i shitur te të huajt, që e paguakan.

Le t’ia nisim nga kjo e fundit, shumica dërrmuese e lojtarëve të kombëtares tonë (apo të cilësdo kombëtare sot) paguhen nga të huajt kështuqë “komploti” antikombëtar kundër seicilit shtet qenka krejt i hapur.

Por, që t’i kthehem rastit në fjalë: Ai është një djalosh i talentuar dhe shqiptar i mrekullueshëm; forma sportive e cilitdo sportisti ka ngritje dhe ulje por kjo nuk është vegëza ku mund të kapen hetimet pseudonacionaliste për tradhëti të lartë kundër interesave të atdheut e kombit (e aq më pak të kllasës dhe Partisë tonë të lavdishme). I vetmi faj i atij djaloshi ishte se ndërpreu në klimaksin e vet ejakulimin e pseudonacionalistëve me bateri.

Unë personalisht nuk jam tifoz futbolli dhe atë e vlerësoj vetëm politikisht. Gjatë komunizmit isha me 17 Nëntorin sepse im atë më pati thënë se ata të sërës tonë (me biografi të keqe) ishin mbledhur në atë ekip. Tani jam me kombëtaren shqiptare sepse ajo më përfaqëson në arenën ndërkombëtare.

Më përfaqëson siç jam unë, herë mirë e herët keq. As nuk më intereson nëse topi kalon apo jo një vijë të vizatuar me gëlqere: Më intereson vetëm që të mijtë janë aty dhe se po i tregojnë botës se ne, të vegjëlit e të shtypurit e historisë, nuk jemi më aq të vegjël e aq të shtypur.

Ata djem më kujtojnë se, si komb, ia dolëm njëfarësoji. Për këtë, ata më bëjnë krenar dhe unë kurrë nuk do them asnjë fjalë të keqe për ta.

/Shqip.com