Lajme

Komandanti i Njësisë Speciale: Atdheu mbetet pasaporta e vetme deri në fund të jetës time

Policia e Kosovës.

Komandanti i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e policisë të cilët morën pjesë në aksionin i cili zgjati 13 ditë në veri të vendit.

Në një postim në Facebook, ka shkruar se “atdheu, detyra dhe nderi do të mbeten pasaporta e vetme deri në fund të jetës time”.

Po ashtu ka premtuar se “do të vijoj të kontribuoj me profesionalizëm, përkushtim, përulësi dhe përgjegjshmëri”.

“Familjarë, miq dhe dashamirë duke ju falënderuar për gjithë këtë përkrahje për këto ditë dhe jo vetëm për mua dhe gjithë djemtë dhe vajzat që ishin me mua, ju siguroj se ‘si bir i atdheut’ do të vijoj të kontribuoj me profesionalizëm, përkushtim, përulësi dhe përgjegjshmëri në dobi të mbrojtjes dhe prosperitetit të mbarë komunitetit”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.

Komandanti i Njesisë Speciale: Ta gëzojmë Kosovën shtet, të punojmë e ta  rendisim atje ku e ka vendin - Ballkani.info
Shefi i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti

Ndryshe, pas 13 ditësh tensione, janë zhbllokuar të enjten rrugët në afërsi të pikave kufitare me Serbinë, në Jarinje e Bërnjak.

Rrugët ishin bllokuar nga serbët lokalë, pasi Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhej të hiqnin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut./SHQIP.com