Lajme

Komandanti i KFOR-it: Nuk është mirë të flitet për luftë, ia kam thënë edhe Kurtit

Komandanti i KFOR-it Ferenc Kajari,

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ferenc Kajari ka folur për grafitet kërcënuese të serbëve, për kërkesën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq që KFOR-i të vendoset tek ura e Ibrit, për rrezikun eventual për luftë dhe për shtimin e forcave serbe në afërsi të kufijve të Kosovës.

Komandanti i KFOR-it tha se për aktivitetin e misionit ushtarak të KFOR-it vendosin vetë ata dhe askush tjetër.

Sa i përket rrezikut potencial për luftë në Kosovë, komandanti i KFOR-it ka qenë i qartë.

“Përgjigja më e thjesht është jo. Mendoj se lufta nuk është çështje relevante besoj unë. KFOR-i nuk ka parë asnjëlloj indikacioni për një ngjarje të tillë. Nuk ka kërcënim për luftë në këtë pjesë, NATO dhe KFOR-i janë këtu”.

“NATO për një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, por nuk është mirë të flitet për luftë, këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”, tha Kajari.

Komandant Kajari tha se, FSK-ja dhe NATO kanë një marrëveshje për aktivitetin e FSK-së në veri të Kosovës dhe në bazë të kësaj ata nuk mund të shkojnë atje pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it. sipas tij kështu ka qenë edhe më parë dhe për këtë janë pajtuar të gjithë.

Kajari tha se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë, që ai i ka quajtur detyra madhore: ‘Për ta mbajtur mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët’.

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe Gjeneral Major Ferenc Kajári.

“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar Kajari.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij ‘vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës’.

Kajar foli për situatën e sigurisë në Kosovë, veçmas në veri të vendit si dhe për mundësitë e trazirave në rast të mosarritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“NATO për një kohë relativisht të shkurtër, mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, por nuk është mirë të flitet për luftë, këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”, tha Kajari në transmetuesin publik.

Theksojmë se në takimin e Kurtit me Kajarin ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla./Shqip.com