Lajme

Kodi i Përplasjeve

Komuniteti LGBT
Lajmi me Audio

Futja në agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës të Projekt-Kodit Civil, shpërfaqi ndarjet e mëdha shoqërore që ka vendi.

E dilemat e mëdha u shfaqën edhe në institucionin ku përfaqësohet populli përmes deputetëve të zgjedhur me votë, kur u përfshi neni 1138.

Por çfarë thotë ky nen?

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit (ofiqarit) të gjendjes civile”.

Projekt-kodi Civil nuk kishte kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 16 mars 2022.

Kundërshtimet më të mëdha erdhën pikërisht nga deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Ndër deputetët më të zëshëm është Eman Rrahmani.

Përkundër një numër paralajmërimesh brenda partisë së do merren masa ndaj atyre që e kundërshtojnë këtë nen, Rrahmani ka thënë për Shqip.com se kurdo që ky Projektligji vjen për votim në Kuvend të Kosovës, qëndrimi i tij nuk do të ndryshojë.

Eman Rrahmani – Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje

“Unë personalisht mendoj që ky kod është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin. Por, jam kundër për shkak të nenit 1138, pika 2 dhe pika 4 e këtij neni. Pika dy thotë që bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara, kushtet dhe procedurat rregullohen me ligj të veçantë. Pika katërt, ku shkruhet të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejtat dhe detyra reciproke në bazë të këtij kodi”, thotë Rrahmani për Shqip.com

Miratimin e Kodit Civil e kishte premtuar edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas përfundim të sesionit veror, ku kishte deklaruar se në vjeshtë, Kodi Civil do të marr miratimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka thënë se brenda këtij grupi parlamentar ka mendime të ndryshme për përmbajtjen e tij.

Mimoza Kusari-Lila – Shefe e GP-së së Lëvizjes Vetëvendosje

“Ligji i Pagave dhe Kodi Civil në sesioni vjeshtor do të jenë në shqyrtim. Kemi mendime të ndryshëm në GP, nuk është dokument të thjeshtohet në një çështje. Ai e rregullon jetën e qytetarëve prej lindjes deri në vdekje dhe është e rëndësishme të kuptohet rëndësia e këtij Kodit, jemi shumë optimistë që Kodi të kalojë”, kishte thënë Kusari.

Prijësit fetarë kundër Kodit Civil

Të gjitha bashkësitë fetare kanë dalë kundër përmbajtjes së këtij Projekt-Kodi.

Shqip.com ka kontaktuar drejtuesit e këtyre bashkësive, derisa të njëjtit kanë thënë se qëndrimi i tyre lidhur me Kodin Civil, mbetet i pandryshueshëm.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës, më anë të një deklarate të përbashkët e kundërshtuan nismën e institucioneve të vendit për shqyrtimin e projekt kodit civil të Kosovës qe ka të bëjë me rregullimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.

“Me bashkimin apo bashkëjetesën e dy personave me gjini tё njëjtë nuk mund tё pajtohemi kurrsesi që ta quajmë as martesë e as kurorëzim, dhe jemi kundër orientimit që këta individë që lidhin bashkëjetesë tё adaptojnë fëmijë. Shoqëria kosovare ka rrёnjё tё thella tё vlerave dhe tё përcaktimeve konservatore, dhe si bashkësi fetare deklarojmë, se ndjehemi tё lumtur me kёtё realitet, dhe angazhimi ynë ёshtё që t’ua pasojmë brezave kёtё visar mbi familjen e martesën”, thuhet në deklaratën e Bashkësive Fetare.

Bashkësitë fetare

Kundër këtij kodi civil janë shprehur edhe partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, zyrtarët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të votojë pro miratimit të Kodit Civil.

/Shqip.com