KMDLNj për protestën kundër shtrenjtimit të rrymës: Numri i protestuesve ishte 2 mijë e 500 deri 3 mijë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas protestës së mbajtur të shtunën para Qeverisë së Kosovës, kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike.
Përmes një komunikate, KMDLNj e ka cilësuar si “protestë të qetë” për shkak të organizimit të mirë të protestës, duke treguar se numri i pjesëmarrësve ishte dy mijë e 500 deri në tre mijë.
“Protesta ishte e qetë për shkak të organizimit të mirë të protestës sikur edhe shkaku i sjelljes së mirë të policëve që mirëmbanin rendin.
Është me rëndësi që asnjëra palë, protestuesit e as policia nuk ndërmorën ndonjë veprim për tensionim të situatës duke kontribuar që protesta të jetë paqësore. Sipas vëzhguesit të KMDLNj- së në këtë protestë , numri i protestuesve ishte 2500 – 3000 protestues”, thuhet në njoftim.
Sipas KMDLNj-së, gjatë protestës së zhvilluar, ka pasur shkelje të masave anti-COVID’19, për shkak se nuk është përfillur distanca sociale.
Po ashtu, Këshilli ka dalë kundër rritjes së paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike sipas ZRrE dhe kanë kërkuar një rritje lineare të çmimit të rrymës që do të ishte i përballueshëm për qytetarët e Kosovës.
“KMDLNj kundërshton ashpër mos përfshirjen e katër komunave të Veriut në skemën e faturimit e që e pranoi edhe kryesuesi i ZRrE, Ymer Fejzullahu.
KMDLNj kërkon hetime nga Prokuroria e Shtetit për legalizim të diskriminimit të konsumatorëve sipas parimit etnik e që e konsideron si shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe dhunimit të ligjit që garanton barazinë e të gjithë qytetarëve , pa bërë asnjë dallim”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, me organizimin e Partisë Socialdemokrate një numër i qytetarët kanë protestuar ditën e shtunë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike./SHQIP.com